cez-shperndarje-noa.al_

Gjobat abuzive të CEZ, ende penalizojnë qytetarët

FEATURE/

CEZ Shpërndarje, kompania e cila kishte nën administrim shpërndarjen e energjisë elektrike deri në nëntor të vitit 2009, për të mbuluar humbjet në rrjet, në kuadër të grupeve task forcë, ka gjobitur me mijëra abonent familjarë në mbarë vendin. Kjo gjobitje masive, e cila në pjesën dërrmuese kapte vlerën 63, 000 lekë u vendos gjoja për lidhje të jashtëligjshme apo ndërhyrje në matësin e energjisë.

Çfarë bënin konkretisht punonjësit e CEZ?

Në mënyrë abuzive, sipas shtypit të shkruar të kohës, punonjësit e CEZ dëmtonin matësin dhe më pas bënin ndërrimin e tij. Duke bërë një procesverbal dhe njoftonin konsumatorin familjar se duhej të paguante gjobën. Familjarët nuk e pranonin një gjë të tillë, por nga ana tjetër gjoba ishte hedhur në sistem e vazhdon të rritet akoma si pasojë e kamatvonesave.

Një gjë të tillë e denoncon edhe S. H, 59 vjeç nga Bulqiza që ky fillim viti e ka gjetur duke plotësuar dokumentacionin për të përfituar ndihmën ekonomike.

Për të përfituar kompesimin e energjisë elektrike, asaj i duhet të marrë një vërtetim nga OSHEE se nuk është debitore. Por tek zyrat e kësaj të fundit, ajo nuk arriti të marrte vërtetimin se nuk kishte fatura të papaguara, edhe pse kishte shlyer çdo faturë të energjisë elektrike.

Teksa mban në dorë librezën e energjisë elektrike, tregon për ishull.com se nga OSHEE nuk e merrte dot vërtetimin se nuk ishte debitore. Sipas saj, punonjësi i kishte thënë se në sistem figuronte me një debi prej 63, 000 lekë, një gjobë e vitit 2012.

“Unë kam paguar çdo faturë të energjisë elektrike. Kur erdha këtu më thanë se unë isha debitore, për një gjobë të vitit 2012 që ishte vendosur nga CEZ-i. Unë mendoja se ishte hequr, sepse është e pa drejtë. Bëhet fjalë për një kontroll që u bë në shtëpinë time në vitin 2012, nga një grup i CEZ-t, ishin tre veta dhe nga e folura dukej se ishin nga Shkodra. Panë sahatin, unë e gjora thjeshtë i pashë, se mos i marrja vesh unë se çfarë bënin ata. Më thanë se është një kontroll, si tek të gjithë. Hajt thash kontroll! I pyeta në fund se çfarë ka, asgjë më thanë, çdo gjë është në rregull dhe u larguan. Nuk kaloi shumë kohë dhe në muajin korrik më vijnë dy fatura, një për energjinë e harxhuar dhe një tjetër me gjobën” – rrëfen për ishull.com 59-vjeçarja S.H.

Por si ajo ka edhe shumë të tjerë të cilët vuajnë të njëjtën padrejtësi të bërë nga administrata e CEZ, e sot e kaluar në OSHEE.

S.H na tregon se për këtë gjobë ka bërë edhe ankesë, por që nuk ka marrë zgjidhje pasi duhet ta ankimojë në gjykatë.

“Kam bërë ankesë pas një jave pasi më erdhi gjoba. Kur më kthyen përgjigje më thanë se gjatë kontrollit në shtëpinë time ishte gjetur lidhje jashtë matësit. Unë ngela e habitur. Se ata ishin aty e më thanë se çdo është në rregull. Ku di unë e gjora lidhje jasht matësit. Vetëm me burrin jetoj se fëmijët i kam jashtë shtetit, kanë ikur me vite”- shprehet 59-vjeçarja.

Fakti se nuk pajiset me vërtetimin se nuk është debitore në OSHEE, kur kjo e fundit është shumë e rregullt me pagesat e të gjitha faturave sjellë mungesë në plotësimin e dokumentacionit, e në këtë mënyrë ajo do të humbas kompesimin e energjisë elektrike që jepet për personat të cilët trajtohen me ndihmë ekonomike.

Pranë zyrës së OSHEE-s në Bulqizë na thanë se ka shumë konsumator të cilët kanë një detyrim të tillë, pra afro 63,000 lekë, kjo e mbartur që nga koha kur OSHEE administrohej nga kompania çeke CEZ.

Sot këta konsumator përballen me faktin se nuk marrin një vërtetim që nuk janë debitor, por nuk është e largët dita që në dyert e tyre të trokas policia e t’ju ndërpres energjinë elektrike për shkak se figurojnë si debitor në OSHEE.

Debi e krijuar jo për faj të tyre, por për shkak se shteti ishte i paaftë të mbronte interesat e qytetarëve të tij, përballë një kompanie që i zhvati çdo ditë.

Sot diskutohen miliona dollarë të shkuara dëm nga një privatizim i dështuar, i cili në vend që t’i sillte përfitime shtetit shqiptar, i ka sjellë një gropë të madhe financiare. Gropë të cilën duhet ta mbushin qytetarët e thjeshtë të këtij vendi.

Leave a reply