23770042_1865419680153866_1255670001_o

“Andi”, dokumentari që tregon jetën e një shqiptari në kërkim të identitetit

Andi, titullohet dokumentari i realizuar nga regjisori grekoanglez, Andreas Dermanis. Një produksion i VICE GREECE i cili rrëfen jetën e Andit, një djaloshi shqiptar që në vitin 1997, në moshë 5 vjeçare me familjen e tij i’u desh të largohet nga Shqipëria për një të ardhme më të mirë. Një të ardhme që mijëra shqiptar kanë ndjekur dhe vazhdojnë ta ndjekin jashtë trevave. Sa gjëra kanë ndryshuar nga ajo kohë? Shumë edhe njëkohësisht pak.

Në foto: Regjisori grekoanglez, Andreas Dermanis duke xhirimi në Athinë

Në foto: Regjisori grekoanglez, Andreas Dermanis gjatë xhirimeve të dokumentarit në Athinë - Burimi: andreasdermanis.com

Dokumentari ndjek Andin, tani 25 vjeç, në jetën që ai krijoj jashtë Shqipërisë, një Shqipëri që asnjëherë nuk ka harruar. I riu rrëfen për kujtimet e ti, siç i mban mend. Sa gjëra mund të mbahen mend nga mosha 5 vjeçare? Në një periudhë të trazuar si 97-ta plot. Ndërkohë që Andi rrëfen për kujtimet e tij, në ekran shfaqen plane nga ajo kohë e paharruar e historisë sonë.

Ai flet për komunizmin, Enver Hoxhën, Sali Berishën, Skemat Piramidale dhe të gjitha trazirat e asaj kohë që detyruan mijëra shqiptarë të braktisin atdheun e tyre në kërkim të jetës më të mirë me shpresën se gjërat do të përmirësohen. Andi flet pa censurë, por me emocione. Flet ashtu siç ndihet. Përshkruan rrugëtimin dhe ndjesitë e një fëmije që pati fatin të jetoj në atë periudhë, pati fatin të largohet por që gjithmonë e mban kokën në të shkuarën, një të shkuar të rrënjosur fort në memorie dhe në zemër.

Tani, ai është një aktor i mirënjohur në Greqi. Dikur ka qenë “shqiptari i vogël”. Një fëmijë si të tjerët por ndryshe nga të tjerët pasi ishte shqiptar. Ai rrëfen për racizmin që përballi që në moshë të vogël vetëm dhe vetëm sepse kishte lindur në një vend tjetër: injorimin nga mësuesit, fjalët përulëse nga fëmijët dhe prindërit e tyre. Identitetin e tij e mohoi veç një herë kur ishte adoleshent dhe donte të zinte një të dashur, më pas i tha sigurisht se ishte Shqiptar.

Gjatë dokumentarit ai viziton Shqipërinë për të shkuar në një dasmë. Viziton vendin ku ka lindur, takon familjarët dhe krahason veten me vëllain e tij të vogël. Nuk ka rëndësi se sa kohë kaloi dikush larg vendit të tij, sapo të shkeli për në tokën e paraardhësve, do të ndjej se ndodhet në shtëpi. Origjina dhe identitetin janë dy gjëra të ndryshme. E para është e qartë, e pamohueshme, me të cilën lindim, e dyta është e paqartë, çoroditëse dhe e kërkojmë gjatë gjithë jetës.

Andi vazhdon të rrëfej për veten. Para 3 vitesh ai shkoj në Kanë me rolin e tij në filmin Xenia. Andi ishte protagonist. Rolin e mori se ishte shqiptar. Në film luan një shqiptar. Ishte pikërisht ky rol që i dha mundësinë të dali për herë të parë nga Ballkani, të eci në tapetin e kuq, të shoh vende të reja, të firmosë autografin e parë përpara se të kthehet në Greqi për të bërë prova për shfaqjen teatrale të radhës e për të punuar deri në 5 të mëngjesit si kamarier.

Nga tapeti i kuq, te disku dhe shërbimi. Kështu është jeta. Ka çaste që duken përrallore. Ato zgjasin pak më pas të duhet të kthehesh në realitet për të punuar fort që të rijetosh çaste të tilla duke shpresuar se nga çaste ato do të bëhen mënyrë jetese. Shpresa për Andin është motivi që e shtynë për të punuar fort, të mos dorëzohet, por të ëndërroj. Pasi ëndrrat kthehen në realitet. Nga “shqiptari i vogël” ai u kthye në “Shqiptari që shkoi në Kanë”, një çast që shumë pak njerëz e përjetojnë.

Andi është një njeri i thjesht. Është një i ri që ndjek ëndrrat e tij, që punon fort, që mendon për të shkuarën e tij dhe që jeton jetën sipas kushteve të tij pranë familjes. Për në Shqipëri ndjehet çuditshëm. Shqipëria është vendi i lindjes, vendi që nuk i ofronte shumë, por prej të cilës mori shtysën më të madhe të karrierës së tij. Ai nuk gënjen. Ndjen që nuk mund të jetojë këtu. Kush mund ti vër faj? Ai ama ndjen dhe se i detyrohet këtij vendi. Pak gjëra janë më të forta se ndjenja e borxhit, detyrimi i brendshëm që s’të le rehat deri sa të shlyesh detyrimet e tua.

Dokumentari trajton në mënyrë të shkëlqyer temën e identitetit. Kush jemi? A ka rëndësi për një copë letre për të të treguar se kush je? A ka vërtetë nevojë për dallime etnike? Apo të gjithë jemi thjesht njerëz me qëllime dhe ëndrra. Andi kthehet nga një personazh në një imazh: imazhi i emigrantit shqiptar që s’ka harruar atdheun, imazhi i njeriut të thjesht që kërkon të mësojë se kush është, imazhin e të riut që ndjek ëndrrat e tij.

Leave a reply