kjo

Autostrada Durrës - Porto-Romano, premtim i pambajtur

VËZHGIM/

Rruga e Parkut Energjitik dhe Industrial Porto-Romano, në Durrës, ende ka mbetur e papërfunduar në dy lotet e saj të para.

Ndërtimi i kësaj autostrade është parashikuar në tre lote. Sipas Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH), punimet për lotin e parë duhej të kishin përfunduar brenda vitit 2016, ndërsa punimet në lotin e dytë kanë përfunduar në vitin 2013.

Punimet për lotin e tretë ende nuk kanë nisur, si pasojë e mosprokurimit.

Por megjithëse jemi në vitin 2017, sipas vëzhgimeve të Ishull.com, punimet në lotin e parë ende nuk kanë përfunduar plotësisht. Barrierat anësore nuk janë vendosur në të dyja krahët, por vetëm një sasi e vogël është montuar në hyrje të rrugës. Ka mungesë të shtyllave të ndriçimit dhe sinjalistika vertikale e vendosur është dëmtuar, ashtu si edhe disa pjesë të asfaltit.

Ndërsa pjesa tjetër e rrugës (loti 2), ka mungesë kufizuesesh anësore, barrierash, shtyllash ndriçimi  dhe sinjalistike horizontale.

Trafikndarëset përgjatë gjithë rrugës paraqesin shenja amortizimi, sipërfaqja e asfaltit duket e dëmtuar dhe kanalet anësore të rrugës janë të bllokuara. Ç’ka dëshmon se ka mungesë të mirëmbajtjes së rrugës.

Aktualisht të dy lotet e ndërtuara janë hapur për qarkullimin e automjeteve, kjo me miratimin e ARSH-së, pas kërkesës së mbikëqyrësit të punimeve për nevoja të ngutshme për qarkullimin e mjeteve në këtë zonë, si edhe duke qenë se ishin zbatuar sipas projektit elementët e sinjalistikës dhe sigurisë rrugore.

Në rrethrrotullimin që lidh dy lotet e autostradës, vihet re një mungesë e theksuar ndriçimi dhe kufizueset anësore janë të dëmtuara nga aksidentet automobilistike. Kjo kuptohet edhe nga buqetat e luleve të vendosura përbri rrugës.

Në disa segmente të saj, ka ndërhyrje nga banorët, të cilët kanë vendosur shkallë druri mbi trafikndarëse dhe i kanë spostuar ato për të kthyer automjetet. Duket se kalimi i banorëve nga njëra anë në tjetrën, është parashikuar me nënkalime.

Megjithëse qeveria aktuale është në fund të mandatit të saj, pavarësisht premtimit të dhënë në qershor të vitit 2013-të për mbarimin e kësaj rruge, nuk është miratuar fondi për lotin e tretë, ç’ka do të çonte në ndërtimin e plotë të autostradës.

Kostoja loteve të rrugës:

  • Loti 1, me gjatësi 2.1 km – 5.6 miliard lekë (të vjetra);
  • Loti 2, me gjatësi 2.7 km – 5.8 miliard lekë;
  • Loti 3, me gjatësi 3.2 km –  i paprokuruar.

Ndërtimi i kësaj autostrade, ka hasur në kundërshtime nga banorët e zonës për prishjen e banesave, pasi disa familje i kishin banesat e palegalizuara, ndërsa një pjesë i kishin në proces (legalizimi). Për ndërtimin e rrugës ka pasur edhe shpronësime nga qeveria e kaluar.

Kjo autostradë do t’i shërbente Parkut Energjitik dhe Industrial që parashikohej të ndërtohej në Porto-Romano. Megjithëse planet për ndërtimin e tij kanë filluar që në vitin 2001, vetëm qeveritë janë ndërruar dhe asgjë konkrete nuk është bërë në terren.

Në janar të dy viteve më parë, Këshilli i Ministrave vendosi shpalljen e zonës ekonomike në Spitallë, me statusin “Zonë e lirë” të territorit, me sipërfaqe 350 hektar, nga 500 hektar që ishte parashikuar në vitin 2008.

Në qershor të vitit 2015 dy kompani kineze ofruan projektet e tyre për ndërtimin e Parkut Energjitik, por pas akuzave për përfshirjen e vëllait të kryeministrit Rama, qeveria u tërhoq nga projekti.

Duket se zvogëlimi i sipërfaqes së ndërtimit, lidhet me faktin se ka parcela me pronësi private. Sipas projektit të paraqitur nga qeveria , këto parcela toke janë në qendër të hapësirës ku parashikohet të ngrihet parku.

SHËNIM:

*Për tu informuar më shumë rreth projekteve ndër vite mbi investimet në zonën e Porto-romanos, kliko këtu.

 

 AUTORËT:

*Geri Emiri; Reporter në Ishull.com, student, dega Gazetari dhe Komunikim, Fakulteti i Historisë dhe i Filologjisë, Universiteti i Tiranës.

*Andi Bora; Reporter në Ishull.com, student, dega Gazetari dhe Komunikim, Fakulteti i Historisë dhe i Filologjisë, Universiteti i Tiranës.

 

 

Leave a reply