karta-e-studentit

Dështimi i Bashkisë Tiranë me kartën e studentit

HULUMTIM/

Një nga premtimet e kryetarit të Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, në lidhje me studentët, ishte se brenda vitit 2016 do të pajiseshin me kartën e studentit. Por edhe pse vitit 2016-të i kanë mbetur edhe pak ditë, ende nuk e kanë një gjë të tillë, ashtu siç studentët në vendet e Bashkimit Evropian e kanë kartën e tyre, e në këtë formë duke përfituar shumë lehtësira.

Me anë të përdorimit të kartës, studentët përfitojnë shërbime të ndryshme publike dhe private, falas ose me çmime të reduktuara. Nëpërmjet saj synohet përmirësimi i jetës ekonomike, sociale e kulturore të çdo studenti në Republikën e Shqipërisë. Ligji nr.80/2015, “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë”, në nenin 100 të tij përcakton se:

  1. Studentët e institucioneve publike e private të arsimit të lartë pajisen me kartën e studentit, e cila është dokument unik. Me anë të saj studentët përfitojnë shërbime me çmime të reduktuara.
  2. Ministria përgjegjëse për çështjet e arsimit përcakton kriteret dhe procedurat për përgatitjen dhe lëshimin e kartës së studentit.
  3. Përfitimet e studentëve nga përdorimi i kartës së studentit përballohen nga fondet e parashikuara në Buxhetin e Shtetit.
  4. Kategoritë e shërbimeve që ofrojnë entet shtetërore bëhen me vendim të Këshillit të Ministrave dhe me marrëveshje me organizma që kanë objekt të tyre interesat studentorë e me persona juridikë privatë që ofrojnë shërbime të ndryshme.

Praktika në vendet Evropiane, na tregon se çfarë përfitojnë studentët nga kjo kartë me ulje çmimi ose falas: Transport publik, biblioteka , teatër, ekspozita, kinema, kredi studentore, oferta telefonike, ushqime, rroba, teknologji/ internet, paketa shëndetësore, sport/ palestër.

erion-veliaj-ne-keshillin-bashkiak-2_11

Në foto: Erion Veliaj

Pak muaj më parë, kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj do të deklaronte:“Karta që do të kenë brenda këtij viti të gjithë të rinjtë e Tiranës, do të jetë njëkohësisht mjet identifikimi për nevojat e qytetit, do të jetë aboneja jote me çip elektronik, sepse shoh që kriza më e madhe te studentët është mënyra sesi firojnë abonetë dhe se si gjithë këta matrapazët e linjave të autobusëve shkojnë i çojnë abonetë e studentit me çmim të reduktuar dhe subvencionuar në drejtim të paditur. Ne duam që karta e qytetit do të ndahet në kartë për rritur, pensionistë dhe student. Karta është instrument, nuk është qëllim në vetvete.”

Por ndonëse këtij viti i kanë mbetur edhe pak ditë, të rinjtë të cilët studiojnë në Tiranë nuk e kanë kartën e premtuar. Për këtë Ishull.com ju drejtua për informacion bashkisë Tiranë, për të mësuar përse procesi për pajisjen me kartë studenti nuk kishte përfunduar akoma. Sipas Julinda Dhames, drejtore e Rinisë, në përgjigjen e shkresës për informacion deklaron se Drejtoria e Rinisë ka nisur projektin e Kartës Rinore dhe është ende në proces hartimi dhe strukturimi. Por pa dhënë detaje mbi koston e këtij projekti, përfitimet që do të kenë studentët dhe se kur pritej të përfundonte.

julinda-dhame-vyr1

Në foto: Julinda Dhame

Ishull.com u interesua edhe në ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë (MMSR), për të mësuar nëse kishte ndonjë projekt për kartën e studentit, por nuk morëm informacionin e kërkuar. Gjithashtu edhe nga ministria e Arsimit për këtë çështje nuk morëm informacion.

Sa ndikon Karta e Studentit në financat e një të riu që është student në kryeqytet?

Një student harxhon mesatarisht 30,000 lekë të reja në muaj. Me hyrjen në fuqi të përfitimeve që ofrohen nga pajisja me një kartë studenti, përfitimet do të varjonin nga 30 – 35 %. Ku kjo kosto do të ulej në 19.500 lekë në muaj.

infografika

Punuar nga Sami Curri - Ishull.com

Por ne pyetëm edhe në disa prej dyqaneve në Tiranë, duke filluar nga libraritë, supermarketet, dyqane rrobash, dyqane teknologjie, transportin publik qytetas, klinika okulistike dhe në disa spitale private, nëse e njohin kartën e studentit.

Përgjigjia në të gjitha rastet ishte JO. Ku në sqarimet e një pjese prej tyre, nga menaxherët e këtyre subjekteve deklarohej se nuk kishin një marrëveshje me ndonjë institucion shtetëror që ata ta bënin një gjë të tillë.

Por në Muzeun Kombëtar, në disa nga kinematë e Tiranës apo edhe në Teatrin Eksperimental, ata e njihnin kartën e studentit ose një vërtetim nga institucioni përkatës i arsimit të lartë, që studentët të përfitonin ulje në biletë. Ulja për biletat varjonte nga 100 lekë deri në 150 lekë.

Studentët akoma do të vazhdojnë të shpresojnë se një ditë do ta kenë kartën e studentit, edhe pse një e drejtë që kanë vite që ju mohohet.