right-to-know-2-620x371

Me luftë drejt paqes!

ANALIZË/

Sot jetojmë në një shoqëri ku rendi i paqes cënohet çdo ditë e më shumë, nga individë dhe grupe të caktuara shoqërore. Ndërsa një pjesë e globit ja ka lënë zgjidhjen konflikteve me karakter ndërkombëtar, politikës së jashtme me gjuhën e matur dhe diplomatike, ndërkohë shtetet e tjera vuajnë pasojat e luftërave të përgjakshme.

Fuqizimi i grupeve terroriste, si Shteti Islamik i Irakut dhe Sirisë (ISIS), e kanë sjellë rrezikun e kërcënimeve dhe sulmeve terrotiste në derën e shtëpisë së Europës dhe SHBA-së. Duke lënë në hije “motorët” e këtyre konflikteve, qeveritë e vendeve të Afrikës Veriore dhe Azisë Jugperëndimore.

Vatrat e konfliketeve midis grupeve të popullsisë civile dhe qeverive të këtyre vendeve, vijojnë të prodhojnë viktima, përballë shoqërisë (globale) spektatore, që për hir të “paqes” nuk do “luftë”. Diplomacia e “sanksioneve dhe vetos”, duket se ka dështuar dhe nuk po prodhon asnjë efekt pozitiv, ndaj Rusisë që njihet si mbështetëse e regjimeve totalitare dhe vetë këtyre të fundit.

Lufta e Parë Botërore, që prodhoi një të dytë më vonë, na e ka dhënë leksionin se kjo lloj politike nuk prodhon asgjë. “Nuk mund të vendoset paqe e qëndrueshme kur ata që kanë pësuar humbje, ndihen se janë të poshtëruar, ashtu si ndiheshin gjermanët në vitin 1919. Gjermania ishte dobësuar jashtë mase nga bllokada ekonomike dhe nuk ishte në gjendje të shlyente shumën e dëmshpërblimeve që i kërkohej”, shprehej ekonomisti i shquar amerikan, Xhon Kejnsi.

Lufta e Ftohtë që zgjati për afro gjysmë shekulli dhe që e futi botën në një gjendje tensioni politik dhe ushtarak, e “centralizoi” konfliktin midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Sovjetik. Kjo ishte “përplasja e demave”, që nuk solli lindjen e konflikteve të tjera në botë, por që e gjithë kjo zbuloi një “paqe” të gënjeshtërt, kur raportet, dëshmitë dhe telekamerat provuan se në vendet e Afrikës regjimet kishin prodhuar mijëra viktima nga popullsia e tyre.

Ky ishte çmimi i një bote pa luftë, me lënien në hije të vendeve të botës së tretë.“Zvarritjet politike të 50 vjetëve të fundit, u kanë dhënë të kuptojnë shumë regjimeve se ata mund të veprojnë pa u ndëshkuar, kundrejt atyre që jetojnë brenda kufijve të tyre ndërkombëtar”, shkruan Susan Burgess-Lent, drejtoreshë ekzekutive e “Qendrës Internacionale të Grave”, në SHBA. Në Sudanin e dekadave të fundit dhe vendeve aty rrotull, regjimet ushtarake kanë vrarë me mijëra civil, për t’a përjetësuar pushtetin e tyre, duke zhvilluar kështu një gjenocid, ndërkohë që bota fliste për historinë e hebrenjve dhe përndjekjen nga nazistët, me qëllim shfarosjen e tyre.

Ndërhyrja ushtarake përfshin kosto të larta njerëzore dhe materiale, por pa të duket se dita-ditës po hollohet flluska e paqes globale, duke lënë regjimet totalitare që të shkelin të drejtat e popullsisë së tyre. Ngërçi në komunikimin diplomatik midis SHBA-së dhe Rusisë, si dhe dyshes Europë - vende anëtare antirefugjatë, po prodhon një komunikim politik pa efekte reale, duke e çuar zgjidhjen drejt një lufte globale. Rezultat ky i mosndërhyrjes për zgjidhjen e konfliktit në Siri dhe territorin nën kontrollin e ISIS-it.

“Lufëtrat janë pjesërisht ashtu siç bëhen nga mediat”, vërejnë studiuesit Tim Allen dhe Jean Seaton, duke shtuar se lufta në kohët moderne është një ngjarje kryesisht mediatike. Raportimi mediatik e ka ruajtur me kujdes marrëdhënien me diplomacinë, duke e analizuar luftën në Siri apo gjetkë, se sa duke e raportuar.

Lënia e informimit dhe drejtimi i gishtit nga Rusia apo SHBA-ja, ka shmangur shfaqjen në ekranet e qytetarëve të botës, të bombave që lëshohen mbi shtëpitë e civilëve, fëmijëve të vrarë dhe trupat e gjymtuar të atyre që luftojnë kundër ushtrisë së regjimeve në këto shtete. Media është kthyer kështu në një zgjatim të politikës së jashtme të vendeve të industrializuara, duke mos e “ngacmuar” ndërgjegjen njerëzore për të kërkuar një zgjidhje akute të konfliktit.

Duket se ndërhyrja ushtarake (lufta) intensive dhe jo me fushata të shtrira në segmente kohore, do të prodhonte të shumëdëshiruarën “paqe globale”, me largimin e regjimeve totalitare, me kontributin e koalicioneve ndërkombëtare dhe ndihmës për krijimin e qeverive demokratike në këto vende.

Por teksa “lokomotivat” e politikës globale kanë zgjedhur të mos ndëryjnë ushtarakisht për zgjdhijen e konflikteve, duket se mbi paqen qëndron interesi ekonomik, për shitjen e armëve të mbetura stok nga dallëdia e garës së armatimit gjatë Luftës së Ftohtë dhe zhvatja e pasurive nëntokësore të vendeve në konflikt.

Leave a reply