Foto e marre ne Web

Moratoriumi i pyjeve, bashkitë shpallin ankande për prerje

HULUMTIM/ 

Moratoriumi për pyjet, hyri në fuqi më datën 4 shkurt të këtij viti, pas miratimit në Kuvendin e Shqipërisë dhe shtrihet në një afat 10-vjeçar.

Qëllimi i këtij ligji, sipas Kuvendit është që të reduktojë ndërhyrjet mbi fondin pyjor, të degraduar si pasojë e mbishfrytëzimit dhe dëmtimeve të tjera, me synim përmirësimin dhe rehabilitimin e gjendjes së tij. Kjo për të ndaluar ushtrimin e veprimtarisë së shfrytëzimit të lëndës drusore në fondin pyjor publik/privat në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë, tregtimin e produkteve të tij, ndalimi e eksportit të lëndës së drurit të papërpunuar, lëndës së ndërtimit, drurëve të zjarrit, si dhe e qymyrit të drurit.

Sipas këtij ligji, përjashtohen vetëm tre raste, të përcaktuara në nenet përkatëse, të cilët bëjnë të mundur prerjen e pyjeve;

  1. a) shfrytëzimi i lëndës drusore për plotësimin e nevojave të banorëve të bashkive për dru zjarri;
  2. b) rastet e ndryshimit të destinacionit të fondit pyjor dhe kullosor, referuar legjislacionit në fuqi;
  3. c) shfrytëzimi i lëndës drusore për rigjenerimin, shëndetësimin e pyjeve dhe pastrimin e mbetjeve drusore.

Bashkia Librazhd, bazuar në pikën C, të nenit të mësipërm, ka vendosur që të bëjë rigjenerimin e pesë loteve, duke shpallur ankandet me një vlerë totale prej 9.004.000 lekësh të reja.

Loti i parë përfshin prerje rigjeneruese në fshatrat Dardhë-Xhyrë, ku ankandi i shpallur kap një vlerë fillestare prej rreth 2.6 milion lekë të reja.

Loti i dytë përfshin përsëri fshatrat Dardhë-Xhyrë, ku vlera fillestare e ankandit është 850 mijë lekë të reja.

Loti i tretë përfshin fshatrat Neshtë-Prevall, ku vlera fillestare e ankandit është rreth 4 milion lekë të reja.

Loti i katërt përfshin fshatin Çermenikë. Vlera fillestare e ankandit kap shifrën e rreth 700 mijë lekëve të rinj.

Loti i pesë përfshin fshatin Polis. Vlera fillestare e ankandit është në vlerën e rreth 850 mijë lekëve të rinj.

Mbajtja e të gjithë ankandeve pritet të bëhet më datë 14 dhjetor 2016-të.

Problemi i të gjithë shpalljeve të ankandeve, qëndron në faktin që shfaqin mangësi në saktësimin e vlerave fillestare.

Në Bashkinë Fier, në ekonominë pyjore Ndernenas, është anulluar ankandi për nxjerrjen e materialit drusor të rrëzuar të thatë, më datë 30 nëntor 2016-të, sepse nuk është saktësuar vlera fillestare. Vlera e përcaktuar përpara anullimit kapte shifrën e 2.5 milionë lekëve.

Bashkia Elbasan, kryeson me numrin më të lartë të ankandeve të shpallur për shitjen e lëndëve drusore për plotësimin e nevojave të qytetarëve të saj për ngrohje. Pra, një total prej 23 ankandesh, ndërsa Bashkia Librazhd vjen e dyta në renditje me një numër prej 15 ankandesh, por që këto ankande nuk përfshijnë vetëm prerjen e pyjeve, por edhe procese të tjera, siç është shitja e boçeve të pishës apo grumbullimin e prodhimeve të dyta.

Ndërsa në Bashkinë Bulqizë, janë shpallur ankande dhe janë njoftuar edhe fitues për prerjen e pyjeve për çështje Higjeno-Sanitare, të cilat janë të ndara në ngastra të ndryshme toke.

Bashkia Shkodër, ka vetëm 5 ankande të shpallura, të cilat të gjitha përfshijnë grumbullimin e prodhimeve të dyta, por nuk përfshijnë ndonjë ankand për prerje pyjesh me qëllim plotësimin e nevojave të qytetarëve të saj për ngrohje. Ndërsa ditën e sotme, në këtë qytet u bë i mundur sekuestrimi i 25 m3 lëndë drusore të braktisura. Kjo ka ndodhur edhe herë të tjera në këtë bashki.

Ndërsa në Bashkinë Pukë, janë shpallur dy ankande për shitje lëndë drusore pishe dhe dru zjarri të butë nga prerja e pishave të vjetra dhe zëvendësimi i tyre me dru të tjerë dekorativë. Kjo është e ndarë me dy lote.

Loti 1 përfshin 10.164 m3 lëndë punimi pishe me një vlerë prej rreth 25 mijë lek të rinj, ndërsa loti 2 përfshin prerjen e 0.6 m3 dru zjarri të buta me një vlerë prej 318 lekësh të rinj.

Volumi total i shfrytëzuar gjatë viteve 2005- 2015 është rreth 1.3 milion m3.

Nderkohë nga konçensionet per shfrytezimin e mineraleve, kryesisht ato me karriera gurore ne siperfaqe, janë miratuar për t'u hequr nga fondi pyjor 40 km2 , ose 4,000 ha.

Nga konçensionet për ndërtime te HEC-eve llogariten të hiqen dhe/ose merren në përdorim një sipërfaqe pyjore prej 17,800 Ha.

Gjatë viteve 2010 deri në vitin 2015, rezulton të jenë eksportuar nga vendi ynë një sasi prej afro 400 mijë m3 dru zjarri dhe rreth 18,7 ton qymyr druri.

Sipas ligjit thuhet që moratoriumi nuk mund të realizohet 100% në praktikë për arsyen se nevoja e popullsisë për lëndë drusore për ngrohje, nevoja e vetë pyllit për t’u pastruar dhe nevojat e shtetit për tjetërsim prone nuk mund të anashkalohen.

Nga viti 2004 deri në 2015 raportohen prerje i legale me mbi 2,500,000 m3 në vit.

Vitin e kaluar, Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, deklaroi që për prerësit e paligjshëm të pyjeve nuk do të kishte më gjoba, por vetëm burg, pasi gjatë fjalës së tij ai tha që rastet e burgut për prerje të paligjshme ishin zero.

Ndërkohë që ligji i miratuar këtë vit përfshin këtë sanksion:

  1. Shkeljet e këtij ligji, kur nuk përbëjnë vepër penale, përbëjnë kundërvajtje administrative dhe dënohen me gjobë, në vlerën 5 000 000 (pesë milionë) lekë.

Të drejtat për shfrytëzimin e fondit pyjor, të përcaktuara sipas ligji, janë si më poshtë:

Të drejtat ekzistuese për shfrytëzimin e fondit pyjor publik/privat, të fituara sipas procedurave ligjore në fuqi, pezullohen deri në daljen e vendimit të Këshillit të Ministrave, të parashikuar në pikën 2, të nenit 3, të këtij ligji, dhe në përfundim të këtij afati ushtrohen vetëm për veprimtaritë e përcaktuara në shkronjat “a” dhe “c”, të pikës 1, të nenit 3, të këtij ligji, sipas dispozitave të rinegociuara të kontratave.

Ndërkohë, policia vazhdon të kryejë arrestime të personave në flagrancë, që kapen duke prerë apo transportuar lëndë drusore.

Tre persona, përkatësisht nga Gramshi dhe Shkodra, tashmë ndiqen penalisht në gjendje të lirë, pasi u kapën në muajin tetor duke transportuar lëndë drusore pa dokumentacionin përkatës.

Dy persona të tjerë, u kapën në flagrancë gjatë muajit tetor në Lezhë dhe Gramsh, duke transportuar pa dokumentacion përkatës.

Gjithashtu edhe në Përrenjas gjatë muajit tetor është arrestuar një 52 vjeçar për shkak të prerjes së paligjshme të pyjeve.

Në muajin tetor janë arrestuar gjithashtu 3 zyrtarë dhe një biznesmen nga Puka. Personat në fjalë akuzohen se kanë autorizuar në mënyrë të paligjshme një sipërfaqe prej 3000m2 të ekonomisë pyjore Krrabë.

Fakti që arrestimet më të mëdha janë bërë gjatë muajit tetor, kjo përkon edhe me faktin që ky është muaji që i paraprin të ftohtit dimëror dhe personat detyrohen që të vënë në shërbim të gjithë mundësitë që kanë për sigurimin e lëndëve drusore, për qëllime vetjake apo edhe për shitje, gjë që sipas ligjit të miratuar, është në kundërshtim nëse nuk ka një dokumentacion përkatës.