kronika-etika1111

Nga dhuna fizike tek ajo simbolike

Feature/

“Një 41 vjeçar nga Korça vari 2 fëmijët e tij e më pas veten” kjo ishte këmbana e alarmit e cila zgjoi shqiptarët në mëngjesin e pesë dhjetorit 2016. Akoma pa hapur mirë sytë, audienca shqipate la mënjanë mëngjesin e zakonshëm dhe filloi të konsumojë një mëngjes të rëndë, tashmë të bërë gati.

“Motra e Naimit, Lindita Golka, tregon se krimin e zbuloi babai i tyre në mëngjes, kur gjeti në derën e shtëpisë së vëllait një letër ku shkruhej "Ngjituni lart".  Ajo rrëfen se babai i saj u ngjit lart dhe atje gjeti trupat e të treve pa jetë, ç'ka ka bërë bërë që të telefonojë policinë i tmerruar nga ajo që pa” kështu është vazhdimi i lajmit të publikuar sot, nga shumica e mediave shqiptare. Në fakt fija mes lajmit ose më saktë lajmit të kronikës së zezë dhe një filmi horror është bërë aq e hollë sa kohët e fundit ka filluar të mos duket më, fenomon ky vërtetë shqetësues për të gjithë mediat.

Kjo për faktin se ky nuk është i vetmi rast që mediat tona nuk interesohen dhe shkelin dhunshëm mbi çdo kufi etik të mundshëm, pa u interesuar aspak për impaktin negativ që lajmi që ato transmetojnë mund të shkaktojë mbi audiencën, sado e fragmentarizuar dhe e vogël të jetë ajo.

Transmetimi i pamjeve kur nëna e 17 vjeçarit i cili mbeti i vdekur pas një aksidenti automobilistik në Vlorë po vajtonte për të birin në vendin e aksidentit, përshkrimi me detaje i ngjarjes së ndodhur pak ditë më parë kur burri  hodhi nga dritarja gruan e tij, apo video e aksidentit tek ura në bllok ku mbetën të vrarë dy të rinj janë shembuj kur kurioziteti dhe nevoja e sëmurë e mediave për sa më shumë audience triumfon mbi dhimbjen dhe vlerat njerëzore.

Profesor Artan Fuga, i cili ndër të tjera është lektor për lendën e Etikës në Media në Departamentin e Gazetarisë dhe Komunikimit në Universitetin e Tiranës thotë se në pasqyrimin e lajmeve, sidomos të kronikës së zezë mungon etika dhe sundon imoraliteti. “Këtu anti-etika në komunikimin masiv është vendosur këmbëkryq dhe sundon imoralja. Këtu edhe kur flitet për korrupsion, flasin shpesh persona që paguhen po nga korrupsioni po nuk e dinë, ose bëjnë sikur nuk e dinë. Kronika e zezë është çfarë t'i kërkojmë, me thënë të drejtën do të ishte luks t'i kërkonim gjë kur në mediat tona nuk ka më ndarje mes informacionit dhe marketingut politik”

“Duke u mbështetur te rregullat e gazetarisë, problemi më i madh që kanë paraqitur dhe vazhdojnë të paraqesin lajmet e kronikës së zezë kanë qenë publikimet e pa kritere të fotografive apo pamjeve të personazheve të kronikave të zeza, përfshirë fëmijë e të mitur në fatkeqësinë e tyre, përfshirë një mori njerëzish të sapo ndaluar nga policia nën akuza të ndryshme, por që kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë shumë larg vërtetimit të këtyre akuzave nga gjykatat. Duke u ndalur në një tjetër problem, përgjithësisht, gazetarët e kronikës së zezë janë ende tepër larg ruajtjes së etikës edhe gjatë hartimit të materialeve të shkruara, qofshin tekstet e kronikave televizive, qofshin shkrimet për gazetat, revistat apo edhe portalet online.” Përfundon profesor Fuga

Ndërkohë që media të ndryshme bëjnë kërdinë duke terrorizuar qytetarët që në pikë të mëngjesit me lajme nga më të ndryshmet, Autoriteti i Mediave Audiovizive që është autoriteti përgjegjës për ndëshkimin e përmbajtjeve të tilla jo etike thjesht Hesht, duke bërë kështu akoma më të padukshëm kufirin mes lajmit dhe horrorit.