collage_1_20171006112620-1864872916

PO SIKUR KADARE TË FITONTE NOBEL-IN?!

Nga: Renaldo Salianji

Dje u dha NOBEL-i në letërsi. E fitoi kush e fitoi, e meritonte apo jo debati do të vazhdojë nja 3 ditë sa të harrohet si histori. Kjo kaloi me një kronikë të thatë 40 sekonda në televizion, dhe me ndonjë shkrim a biografi të fituesit të përkthyer keq nga angëlishtja në gazetë. Shkarazi e përmendën diku që paskësh qenë përfolur edhe Kadareja si favorit. Them shkarazi sepse vetëm sot u kujtuan që Kadareja mund të ishte fitues i NOBELIT. Kadareja, që duhet të ishte lajmi i ditës këto ditë, dhe shteti duhet të çahej në katërsh duke lobuar, aq më tepër Ministria e Kulturës që e ka për detyrë ta bëjë këtë gjë nuk e vuri ujin në zjarr hiç. Sepse ky shteti ynë i gjorë, nuk e kupton që NOBEL-i do të ishte marketingu më i madh që mund ti bënte vetes. Ajo fjalia “edhe këtë vit Kadareja nuk e fitoi dot NOBEL-in” mu duk si tallje. Tallje shumë e madhe me ne, dhe me Kadarenë.

Dhe natyrshëm më vjen në mendje një pyetje.

Çdo të ndodhte sikur Kadareja të fitonte NOBEL-in?

Me siguri që nuk do të kalohej lehtë. Kryeministri do të kujdesej që atij ti bëhej një pritje madhështore në Aeroport. Do ti shtronte një tapet të kuq, dhe do të dilte ta priste. Mediat do të ishin të gjitha live nga Aeroporti.(Avioni me Ismail Kadarenë në bord sapo preku tokën, ai po zbret shkallët, ai po përshëndet me dorë etj, etj, etj) Me siguri që Kryeministrin do ta shoqëronte edhe Kryetari i parlamantit, dhe gjithë shpura e tij e “Pashallarëve të kuq”. Pas një shtrëngimi duarsh të përzemërt dhe një konference për shtyp, Kadare do të dilte nga dera vip e Aeroportit, dhe do të hipte në eskortën që protokolli i Kryeministrisë do të ishte kujdesur të çonte atje. Rruga “Dritan Hoxha” dhe rruga e Durrësit do të ishin zbukuruar me flamuj Kuq e zi, me portrete të Kadaresë, dhe ndonjë tabelë “Mirë se vjen NOBEL”.

Në shesh, me siguri do të kishin dalë njerëz dhe kryeministri do ti bënte një pritje në kryeministri, e cila sigurisht që do të transmetohej live në ERTV.

Pastaj do të ishte radha e presidentit, i cili do të firmoste shpejt e shpejt ndonjë dekoratë të lartë, si psh ” Urdhri i Flamurit” etj dhe do të nxitonte t’ja mbërthente tek xhaketa.

Dhe në darkë do ta kishte radhën lali Eri, që do të kishte organizuar një koncert me Noizin dhe Encën në shesh për nder të Kadaresë, do hidhte ca fidhekzjarre, do mbante një fjalim mallëngjyes dhe do ti dorëzonte Kadaresë Çelësin e Qytetit.

Me siguri që Fevziu me Ballën do të bënin luftë se kush ta merte i pari në studio, ndërsa televizionet, fill pas asaj kronikës që do të ishte lajm i parë, që Kadare fitoi NOBEL-in, do ti bënin atë biografinë standarte që fillon me fjalët: ” Por kush ështe Ismail Kadare? Ai lindi në vitin aq e kaq në Gjirokastër dhe arsimin fillor e mbaroi aty, pastaj …. Bla bla bla”

Titujt e parë të gazetave pa përjashtim të gjithë, do ti thurnin lavde nobelistit shqiptar.

Shqiptarët te entuziazmuar në maksimum dhe “Krenarë që janë shqiptarë” do ta vinin foton e tij foto profili. Pjeshkat e instagramit do të fillonin të postonin shprehje nga librat e tij në story edhe pse nuk ja kanë idenë se kush është ky burri. Ajo poezia “Ca pika shiu ranë mbi qelq” (e vetmja që dinë shqiptarët nga Kadareja) do të bëhej hiti i rrjetit dhe Xhelal Mziu do ta shpallte Kadarenë qytetar nderi të Kamzës.

Vendi i tij tek Juvenilja do të shpalllej monument kulture.

Me siguri që nami do ti shkonte deri në Kosovë ku Linda Morina do ti këndonte me çifteli:

“Ismail Kadare o lexhendë e xhalle,

krenaria e kombit shçiptare”.

Kaç Myftaraj do të fillonte të zbulonte të kaluarën e Kadaresë si agjent i serbëve dhe ndikimin e Sorosit që Kadareja të fitonte NOBEL-in, po ashtu Muç Nano do të zbulonte origjinën jo-shqiptare të nënës së Kadaresë.

Syri.net do të fillonte ti numëronte të dashurat që ka pasur dhe do të zbulonte se kush ishte Linda B.

Me siguri që lali Eri do ti vinte emrin ndonjë shkolle, rrugice a Biblioteke Lagjeje, ” Ismail Kadare”.

Ngjarja e Elbasanit do të harrohej ca ditë. Hashashi po se po. Le më pastaj aksioni kundër informalitetit.

Kadareja do të bënte bashkë të majtë e të djathtë, mazhorancë e opozitë.

Por fatkësisht, ose, fatmirësisht Kadareja nuk e fitoi NOBEL-in as këtë vit, dhe na i kurseu gjithë këtë ekzaltim kolektiv.

Të kthehemi me këmbë në tokë. Mirë po ta fitonte do të bënim gjithë këto gjëra, po deri tani ç’kemi bërë ne për Kadarenë? (Përveç se sa herë që na jepet mundësia sigurohemi tja kujtojmë që ka qenë i përkëdhelur i regjimit).

Ne kemi në shesh që quhet: “Sheshi Mustafa Qemal Ataturk” (21-shi), dhe nuk kemi një shesh që të quhet Ismail Kadare. Ne kemi një Bulevard që quhet Zhan D’Ark, dhe nuk kemi një rrugicë që të quhet Rrugica Ismail Kadare.

Ne kemi një bust të papa Françeskut në mes të Tiranës, (shyqyr që e kemi) dhe nuk kemi një bust të Kadaresë. Ne kemi një statujë gjigande të një presidenti Amerikan, po statujë të Kadaresë, hiçgjëkundi. Kemi shkolla që mbajnë emrat e heronjve të punës socialiste, por nuk kemi një shkollë të quhet Ismail Kadare.

Kemi një rrethrrotullim me emër bordelloje, po Kadare nuk kemi.

Dhe në qoftë se Kadare do të fitonte NOBEL-in, do të shtireshim sikur e duam dhe e vlerësojmë.
Ja sa vend hipokrit që jemi.
Thoni po deshët që nuk do të silleshim kështu.

Mos vallë ka ardhur Koha që ne ta kuptojmë se sa nevojë që kemi ne për Kadarenë?

Takova një student japonez një ditë, dhe kur e pyeta se çfarë dinte për Shqipërinë, mu përgjigj se dinte që ne ishim vendi i shqiponjave, i Nënë Terezës dhe i Ismail Kadaresë.

(Ndërsa studentët tanë… nejse)

Nuk e di d.m.th.

Po na merr lumi shijet dhe shpirtin.
Ne kemi nevojë urgjente për Kadarenë. Ne shqiptarët e vegjël kemi nevojë për Kadarenë e Madh.

Ne, vendi eksportues i hashashit kemi nevojë për madhështinë e tij.

Por shyqyr që ai nuk e fitoi NOBEL-in edhe këtë vit.
Shyqyr.
Dhe na kurseu shumë kusure.

BURIMI: renaldosalianji.wordpress.com

Leave a reply