DSC_0148

Priten gjatë natës pemët gjysmëshekullore, autorët të njëjtët që shkatërruan “Pompein” shqiptar

KOMENT/

Qielli mëngjesin e sotëm nuk ishte ai i një dite më parë. Kthjelltësia dhe qetësia pranverore ja kishte lënë vendin një mjegulle të lehtë dhe erës që frynte në çdo cep të qytetit. Ashtu si për vite me radhë, që nga fëmijëria e deri më sot, gjarpërimi në rrugicat e ngushta të Durrësit më ndihmon për të shkurtuar distancat. Duke ecur në rrugën e automjeteve, se nuk më bën zemra të shkel mbi trotuarin me mermer të shtrenjtë, ndërtuar mbi rrënojat e lagjes romake dhe kushedi se sa qytetërmieve të mëvonshme. Pranvera i kishte dhënë hijeshi rrugës dhe diçka mungonte nga një ditë më parë. Mbi trotuar dergjeshin trungje pemësh. Fërkimi i syve nuk pati rezultat.

“I kanë prerë gjatë natës”, ishin fjalët telegrafike si në raste vakish, që lëshoi kambisti me para në dorë. Ato të mallkuara na infektuan qytetin me beton dhe nuk na lanë pikë dinjiteti.

Untitled-1

8 rrape gati 50- vjeçar mungonin përbri tortuarit të pallatit luksoz, ku metri katror kushton sa në qëndrat e kryeqyteteve të njohura të botës. Asnjë informacion mbi ngjarjen. Asnjë njoftim paraprak nga institucionet apo individët, se këto pemë do të priteshin. Asnjë dëgjesë publike, ku të sqaroheshin rrethanat e prerjes së këtyre pemëve.

Por çuditërisht gjatë ditës, kryetar i Degës së Shërbimeve në Ndërrmarrjen e Gjelbërimit të bashkisë Durrës, deklaroi për “Durrës lajm” se cikli biologjik i këtyre rrapeve kishte ardhur në fund dhe bashkia vendosi që të përshtas një bimësi tjetër në këtë zonë.

Prerja u bë natën, e mbjellja e “shkopave” të rinj dekorativ ditën. Çudi e madhe! Qeveria vdes të dhurojë spektakël me shembjen e ndërtimeve pa leje në mes të ditës, duke bllokuar gjysmën e qytetit, e pemët na i priska natën!

Unë nuk jam ekspert i kësaj fushe, por çudi më bën fakti se përse pemë të tjera në këtë zonë ose në qytet, janë prerë në trungjet e tyre, për t’i rigjeneruar. Por megjithëse në fillim të Pranverës, nuk u pa e udhës që të përdorej kjo metodë.

8 pemë brenda një nate!!! Të 8-ta kishin në nevojë për rigjenerim?! Të 8-ta ishin fiks në gjatësinë e trotuarit që kalon përbri pallatit të ndërtuar mbi lagjen romake!!! Pema me diametrin e trungut më të madh ishte në hyrje të pallatit!!! Asnjë prej të 8-ve nuk i shpëtoi “efektit domino”. Asnjë raport i bërë publik, me ekspertizën përkatëse.

DSC_0140

Hyrja e pallatit

Përpara disa muajsh puna me vëzhgimet në terren të Ishull.com, më çoi në lagjen “Çinore” të qytetit të Shijakut. Në mes të lagjes gjendet një pemë e llojit plep, që banorët e quajnë çinore, nga ka marrë edhe emrin lagjia. U mrekullova kur e pashë. Banorët ankoheshin se kishin frikë se mos pema rrëzohej, pasi përpara disa vitesh zgavrën e saj e kishin djegur fëmijët duke luajtur.

Për rastin vura në dijeni Agjencinë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, që më bëri me dije se “Çinari” është shpallur Monument Natyre në vitin 2002 dhe është në gjendje të mirë fitosanitare dhe pas verifikimit në vend nga grupi i specialistëve, nuk paraqet rrezik eventual.

Trungjet e pemëve që u prenë mbrëmjen e djeshme në Durrës, ishin të plota dhe në ngjyrë “të artë”, në dukje të pakalbura dhe pa asnjë zgavër brenda tyre. E megjithatë sipas zyrtarit të bashkisë, pemët na paskan qënë burim aksidentesh. Mëkati i vetëm i tyre ishte se ishin buzë rrugës dhe se ndonjëherë u shkëpuste ndonjë degë nga fortunali. Po harroi bashkia Durrës se është përgjegjëse për mirëmbajtjen dhe gjendjen e tyre në këto vite.

DSC_0129

Epo çudi e madhe! Të reagojë bashkia Durrës brenda ditës dhe në prononcim për mediat, zor se bën vaki. Në mbi 1 vit aktivitet në Ishull.com, më rezulton se institucioni më problematik në kthimin e përgjigjeve, është bashkia Durrës. Një qytetar më tregonte se si kishte 6 muaj që priste përgjigje nga bashkia, ndërkohë që një të tillë e kishte marrë në kohë nga kryeministria dhe ministria e Drejtësisë.

Po a besohet tek bashkia Durrës, që shkeli vendimin e Gjykatës Administrative duke betonizuar hapësirën përreth gjetjeve arkeologjike tek “Veliera”. Po kjo bashki dhe po të njëjtët funksionarë firmosën në vitin 2010 që të jepej leja e ndërtimit për këtë kompleks pallatesh, 20.000 mijë metër katrorë, në zemër të Durrësit. Duke varrosur nën beton lagjen romake dhe pemët shekullore që vetëm në foto bardhë e zi i shohim.

IMG-20160702-WA0000

Po a i besohet bashkisë Durrës dhe institucioneve të arkeologjisë, që muajin e kaluar sipas vëzhgimit të Ishull.com, firmosën lejen për ndërtimin e një pallati tjetër nga po e njëjta firmë ndërtimi, në një tjetër zonë arkeologjike të qytetit. Po si mundet një bashki që të jetë e zonja të pres pemët dhe jo t’i kërkojë llogari firmës ndërtuese të pallatit, që përpara disa ditësh çau asfaltin e saposhtruar nga bashkia dhe futi kabllot e korrentit. Sot pirgu i inerteve dhe gropa e hapur qëndron si memorial i të “të paprekshmëve”.

8 pemë janë 8 humbje të mëdha në memorien historike të qytetit, pasi për mbi 50 vite breza të tërë janë rritur duke kaluar poshtë këtyre pemëve dhe nën tingujt e mrekullueshëm të mijëra zogjve. E sa për ndotjen që shkaktonin zogjtë sipas përfaqësuesit të bashkisë Durrës, më mirë glasat e zogjve në kurriz, se sa betoni që endet mbi kokat tona.

E nesërmja për mua do të jetë një ditë edhe më e zymtë. Madje do vendos të mos kaloj më tek ajo rrugë. Dyert e mortit aty janë hapur për institucionet e shtetit, arkeologjinë dhe mjedisin…ndërkohë që po përgatitet leja e ndërtimit për një tjetër monstër betoni në zonën aty ngjitur…

DSC_0198

Pemët në foto u prenë natën e djeshme

 

Leave a reply