qs2

Projekti për rikonstruksionin e Qytetit Studenti, ende larg zbatimit

VËZHGIM/

Qyteti Studenti u ndërtua që prej vitit 1958 me hapjen e degëve të para universitare, që bëri bashkë student nga të gjitha rrethet e Shqipërisë të cilët ishin me studime në Tiranë. Fillimisht kishte shumë pak godina, por që rreth viteve ‘78 me punë vullnetare u ndërtuan edhe disa godina të reja, bashkë me disa objekte të tjera që do të ishin në shërbim të studenteve. Sot Qyteti Studenti ose siç njihet edhe si Rezidenca Studentore Universitare Nr.1 ka nën varsinë e saj 26 godina dhe disa objekte të tjera për nevoja të studentëve dhe administratës; ku për 2016 akomodon afro 4400 student, nga këta 3560 janë vajza dhe 840 djem.

Në foto: Qyteti Studenti

Në foto: Qyteti Studenti

Sot Qyteti Studenti nuk e ka më shkëlqimin e dikurshëm, kjo për shumë arsye: së pari çmimi, kushtet në konvikte dhe faktit se një pjesë e studenteve që vijnë nga rrethet zgjedhin të jetojnë në shtëpi me qira. Një nga premtimet e kryetarit të bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj gjatë fushatës së vitit 2015 ishte se Qyteti Studenti do të rikonstruktohej. Kështu më 3 qershor 2016  u shpall projekti fitues për master planin e ri për Qytetin Studenti. Juria vendosi se projekti më i mirë ishte i disa kompanive Italiane dhe kompanisë shqiptare “Abkons”.

Master-plani në thelb parashikonte ndërtimin e një rezidence të re për studentët dhe rehabilitim për ambientet ekziztuese. Kjo studio fitoi mes 35 të tjerave që paraqitën projektet e tyre. Mbi këtë masterplan do të fillonte edhe aplikimi i shumë projekteve të reja zhvillimore për gjithë Qytetin Studenti.

“Konkursi Ndërkombëtar për Master Planin e Qytetit Studenti”  u lançua nga  Ministria e Zhvillimit Urban, Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes,  Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit dhe Atelier Albania.

Vetë kryeministri Edi Rama, i cili mori pjesë në prezantimin e master planit tha se nga mënyra si është menaxhuar ky qytet është degraduar. Një grumbullim fjetoresh të shkatërruara ndër vite, ku janë bërë ndërhyrje sporadike dhe pa asnjë ambicie, e konsideroi kreu i qeverisë Qytetin Studenti, më të rëndësishmin në vend për sa i përket akomodimit të studentëve.

Edhe pse kanë kaluar shtatë muaj nga prezantimi i këtij master plani, Qyteti Studenti vazhdon të jetë po ai, pa asnjë ndryshim. Për këtë ishull.com ju drejtua Bashkisë Tiranë për të mësuar se në çfarë faze ndodhej zbatimi i projektit të shpallur fitues për rikonstruksionin e Qytetit Studenti!?

Në përgjigjen e saj, Bashkia Tiranë me anë të Rezidencës Studentore Universitare Nr. 1 jep shpjegime për “Programin për rinovimin e konvikteve në kampusin universitar të Tiranës, sipas parimit të efiçencës energjitike” që është një marrëveshje e qeverisë shqiptare dhe Republikës Federale të Gjermanisë.

Ish - ambasadori i Republikës Federale të Gjermanisë, Hellmut Hoffmann në momentin e zyrtarizimit të marrëveshjes për zbatimin e këtij projekti, theksoi faktin se financimi prej 4.5 milion eurosh është konkretizim i një një premtimi të kancelares Angela Merkel gjatë vizitës së saj në Tiranë.

Më 27 qershor 2016, Komisioni i Ekonomisë miratoi grantin prej 4,5 milionë euro për rikonstruksioni e godinave të Qytetit të Studentit.

Ky grant ishte pjesë e “Programit për rinovimin e konvikteve në kampusin universitar të Tiranës, sipas parimit të efiçencës energjitike” dhe pjesë e marrëveshjes financiare të vitit 2015 ndërmjet qeverisë shqiptare dhe qeverisë gjermane.

Por edhe pse është premtuar shumë dhe shpresuar se Qyteti Studenti do rikonstruktohet deri më tani kanë rezultuar fjalë dhe premtime boshe. Deri më sot, nga vëzhgimet e ishull.com asnjë godinë në Qytetin Studenti nuk i është nënshtruar rikonstruksionit dhe zbatimit të master planit që me aq bujë u trumpetua nga qeveria.

Në një intervistë për Gazetën Shqip, dhënë në tetor të vitit 2015 drejtoresha e RSU Nr.1, Anila Shehu do të deklaronte:

“Qeveria gjermane, kancelarja Merkel, i kanë bërë dhuratë Qytetit Studenti 4.5 milionë euro dhe ne jemi duke punuar me KFV për ta vënë në jetë atë rikonstruksion të pritshëm prej vitesh në Qytetin Studenti. Jemi në rrugë të re, shpresojmë që vitin që vjen të fillojë rikonstruksioni i dy godinave. Ne tani kemi një masterplan të ri, e kemi më të lehtë se kemi plan rregullues dhe mbi të zhvillojmë kampusin e vërtetë të Tiranës” – u shpreh Shehu.

Por kanë kaluar një vit e gjysëm nga kjo deklaratë e Zj. Shehu dhe ende nuk ka asgjë. Qyteti Studenti vazhdon të mbetet i njëjtë. Duke mbajtur peshën e një ndërrimi sistemi dhe degradimit të ngadalshëm.

 

 

Leave a reply