peace_not_war_by_13insane37-d4sezg0

Si mund ta vendosim paqen me luftë?

ANALIZË/

“Lufta është paqe”

Kjo është njëra prej tre thënieve mbi të cilat George Orwell, ndërton romanin e tij të titulluar “1984”.

“Lufta është paqe, Liria është skllavëri, Injoranca është fuqi”.

Teorikisht këto duken sikur qendrojnë në oponencë me njëra-tjetrën dhe që nuk bëjnë kuptim, por që në kohën kur jetojmë, shohim rrethana të cilat i kanë të adaptuara mjaft mirë thëniet kontradiktore të Orwell.

Le të merremi me frazën “Liria është skllavëri”.

Sistememet totalitare, por edhe ai kapitalist, të garantojnë liri vetëm nëse ti i nënshtrohesh punës. Pra, punën na duhet që ta konsiderojmë skllavëri, për aq kohë sa ajo na merr orë nga ditët tona dhe kërkon shfrytëzim të forcës njerëzore. Skllavëria përkthehet në para dhe paraja përkthehet në skllavëri.

Por përse lufta konsiderohet paqe?

Lufta duhet konsideruar paqe, nëse ajo i qendron strikte dhe korrekte kornizës së një politike ndërkombëtare e cila ruan një etikë, merr në konsideratë jetët e njerëzve, respekton format e ndërveprimeve ushtarake, si edhe nuk synon t'i jap tjetër konotacion sulmit ushtarak.

Ka dy tipe luftrash që hyjnë tek luftrat që sjellin paqe: Luftë e nevojshme dhe luftë zgjedhjeje, por që kjo e fundit shpesh mund të mbajë edhe peshën e gabimeve politike, duke sulmuar në mënyrë të panevojshme por të justifikueshme. Lufta është një aksion, një sulm i nevojshëm për të pasur paqe.

Pyetja që ngrihet është që pse nuk mund të kemi paqe dhe vazhdimësi të saj?

Nuk mund të kemi, sepse natyra njerëzore është e ndërtuar në mënyre të atillë që të jetë ambicioze. Pra paqja e vazhdueshme, do i detyronte liderët e vendeve që të synonin përtej kufijëve, të synonin përtej kapacitetit të burimeve njerëzore dhe natyrore të shteteve të tyre, të synonin për një “paqe” duke trazuar paqen e “vërtetë”.

Në këto raste nevojitet një presion nga një faktor ndërkombëtar ose rajonal dhe këto forma presioni mund të startojnë më deklarata politike apo të finalizohen me mobilizimin dhe  sulmin e trupave ushtarakë.

Për të pasur paqe në sulmin që bëhet, duhet pasur kujdes që lufta të jetë e nevojshme, dhe që të kemi një motiv të fortë për të justifikuar nevojshmërinë e sulmeve të ndërmarra.

Nëse një shtet dyshohet për prodhimin e armëve të shkatërrimit masiv, detyrimisht paqja e atij vendi vihet në pikëpyetje, por gjithashtu edhe paqja rajonale.

Rasti i Koresë së Veriut, e cila vazhdimisht teston prodhimin e armëve të saj bërthamore, do të thotë që ushtrohet një formë presioni ndaj Koresë së Jugut dhe vendeve të tjera të rajonit. Presion të këtij lloji, nga këto teste, ka ndjerë edhe SHBA, e cila ka bërë disa herë publike në media, qëndrimet e saj kritike ndaj Koresë së Veriut.

Pra kalojmë tek ajo që thot Orwell, “Lufta është paqe”. Shtetasit e Koresë së Veriut kanë pranuar dy forma të kundërta në mendimet e tyre, “me hir apo me pahir”, duke qenë se është vend diktatorial. Paqja për ta është testimi i armëve bërthamore dhe ruajtja nga “armiku”, por që në vetvete, kjo nuk është paqe për ta, pasi e parë në rrafshin e transmetimit mediatik tregohet që ata njerëz janë të nënshtruar. Gjithashtu e parë edhe në rrafshin diplomatik, kjo paqe është pasojë lufte.

Nëse situata agravon, shihet e arsyeshme një ndërhyrje ushtarake. Pra mund të kemi një luftë të nevojshme për të stabilizuar situatën në rajon edhe më gjerë.

Me të njëjtën situatë jemi përballur edhe me sulmet e ndërmarra nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndaj Irakut. Kjo e fundit dyshohej për prodhim të armëve bërthamore.

Por, së fundmi drejtuesit e vendeve të fuqishme kanë pranuar që sulmi ndaj Irakut ka qenë një luftë zgjedhjeje dhe jo një luftë e nevojshme.

Lufta gjithashtu sjell paqe në kuadrin e veprimtarive ekonomike. Mbas shkatërrimit kërkohet rindërtimi, i cili kërkon burime njerëzore për të gjeneruar paranë nëpërmjet industrive prodhuese dhe rindertuese dhe pikërisht kjo ka ndodhur pas Luftës së Dytë Botërore apo edhe përgjatë saj.

Fillimisht ishin gratë ato të cilat merreshin me prodhimin e armatimeve të ushtarëve gjatë periudhës që kishte luftime. Mbas përfundimit të saj dhe pas gjithë atyre shkatërrimeve masive, në Europë kërkohej rindërtimi dhe pikërisht kjo ishte faza në të cilat ajo ndezi motorrët për rigjenerim dhe rimëkëmbje ekonomike.

Aktualisht, nga transmetimet mediatike dhe duke marrë në konsideratë diplomacinë e vendeve të fuqishme, vihet re që SHBA ka një politikë ndërkombëtare sigurie e cila përfshin ndërhyrjet ushtarake që përmendëm më sipër, por të njëjtën gjuhë e përdorë edhe NATO, në kuadër të sigurisë globale.

 

 

 

Leave a reply