DSC_0059

Tahiri dhe Dako vëzhgojnë punimet tek “Veliera” dhe gjetjet arkeologjike

VËZHGIM/

Ministri i brendshëm në largim, Saimir Tahiri dhe kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako, kanë vizituar sot kantierin e punimeve për ndërtimin e “Velierës”, si edhe gjetjet arkeologjike të zbuluara rreth dy muaj më parë.

Vizitës së Tahirit e Dakos i është bashkuar dhe kreu i Drejtorisë së Kulturës Durrës, Ledion Lako, që në praninë e drejtuesit të gërmimeve arkeologjike, janë informuar mbi atë se çfarë është zbuluar dhe ecurinë e gërmimeve.

DSC_0063

Majtas, drejtuesi i gërmimeve arkeologjike, Eduart Shehi, djathtas, kreu i Drejtorisë së Kulturës Durrës, Ledion Lako

Megjithëse punimet për hapjen e tunelit nëntokësor të projektit “Veliera”, kanë ditë që vijojnë deri në orët e para të mëngjesit, sot puna në kantier ishte me ritme shumë të qeta. Vetëm pas largimit të zyrtarëve rinisën punën eskavatorët dhe kamionët.

Ashtu siç ka raportuar më herët Ishull.com, dherat e nxjerra nga shpimi me sondë dhe inertet janë depozituar pak metra më tutje në bregdetin e Vollgës, duke shtuar hapësirën tokësore kundrejt detit dhe ndotur mjedisin.

Dëmtimi i gjetjeve arkeologjike është dënuar nga opinioni publik, ku qytetarët durrsakë dhe jo vetëm, organizuan 4 protesta që kishin si kërkesë mbrojtjen e gjetjeve arkeologjike dhe ndalimin e punimeve. Por megjithëse kishte edhe një vendim gjykate që e diktonte këtë, firma private nuk i ka ndaluar punimet.

Pa kostumin zyrtar, Saimir Tahiri dhe Vangjush Dako vazhduan më tej ecjen në bulevardin “Epidamn”.

DSC_0065

Tahiri është shfaqur shpesh herë pranë kryebashkiakut Dako, siç ishte replika nëpërmjet medias, e Dakos me ministrin Lefter Koka, që akuzoi policinë dhe kryebashkiakun e Durrësit për korrupsion dhe lidhje me kanabisin. Po ashtu Dako ishte i pranishëm në drekën e falenderimit që ministri në largim shtroi me drejtuesit e policisë së shtetit në qarqe.

Saimir Tahiri u shkarkua ditë më parë nga kryeministri Rama, së bashku me tre ministra socialistë, largim që pritet të zyrtarizohet me dekretimin e ministrit të ri nga presidenti Bujar Nishani.

DSC_0084

Gjetjet arkeologjike majtas, punimet për hapjen e tunelit nëntokësor djathtas

Leave a reply