dsc_0135

Të jetosh mbi helmet kimike!

REPORTAZH/

Gjatë rrugës hasim shpesh auto-bote që transportojnë lëndë djegëse, si edhe “autoshkolla”. Të parët nxitojnë për në qytetet dhe shtetet e tjera, ndërsa të dytët nuk harrojnë të ndezin sinjalin sa herë që është e nevojshme.

Destinacioni i tyre është zona e Porto-Romanos, që shtrihet në veri të qytetit të Durrësit. Për herë të parë “industrialistët” këtu u shfaqën rreth vitit 1960. Përpunimi i kimikateve, solli ndërtimin e godinë pas godine, ku kryheshin disa procese kimike, e që formuan “Ndërmarrjen kimike” (e quajtur NISH-Kimikja). Ndërsa sot industira e lirë private ka investuar këtu, kryesisht në depozitimin e lëndëve djegëse dhe përpunimin e vajrave dhe letrës.

“Unë kam ardhur në vitin 2000 këtu dhe e mbaj mend që ka qenë fushë”, na tregon një banor i zonës, rreth të 60-ve. Pohimi se është nga fshatrat e Tepelenës, pasohet me sqarimin se shumica e banorëve kanë ardhur nga veriu i vendit.

Jo larg nga këmbët tona, dëgjohet zhurma e lopatës që zhytet midis rërës, çimentos dhe ujit, për të formuar betonin për muret e banesës tre katëshe. Dëshira për të krijuar një jetë më të mirë, i bën ballë problemeve ekonomike që ka zona.

Të gjithë duket se janë mësuar me realitetin e të jetuarit mbi një tokë të ndotur nga mbetjet kimike. Për rrezikun e ndotjes së zonës, mjaftohen vetëm me përgjigjen “nuk e di” ose “unë jetoj në kodër”.

“Kur erdha të jetoj këtu, rreth vitit 1997, nuk e dija se çfarë zone ishte. Më mbrapa e kuptuam rrezikun”, na thotë një prej banorëve, me profesion mësues.

Në “grackën e tokës pa pronar”, ranë me mijëra banorë që erdhën këtu pas vitit 1990. Disa përfituan nga prania e ndërtesave, për të marrë tullat dhe ndërtuar banesat e tyre. Rreth gjashtë familje u strehuan në ambientet e ish-Ndërmarrjes Kimike. Askush nuk e kishte idenë e lëndës me ngjyrë të verdhë që gjendej mbi tulla dhe kudo mbi tokë. Lëndët kimike gjendeshin me pirgje, depozita, duke u kthyer në “helmues kolektiv”, për rreth 3000 banorët që u vendosën këtu.

Rrugica e zhytur në baltë kufizohet nga një mur i vjetër. Më lart ngrihet një rrethim prej telash me gjemba. Një rrobë e mbetur midis tyre, ngjason me banorët e ngecur këtu, pas investimit për ngritjen e banesave dhe lëndëve kimike që flenë poshtë këmbëve të tyre.

“Kam blerë tokë në një kodër aty lart. Doja të hapja pulari, por ditën që bleva tokën pësova një aksident dhe nuk munda ta ngrija pularinë”, tregon Arben Ofski. Nuk jeton këtu, por vjen për t’u kujdesur për pemët frutore që ka mbjellë, i qetë se ndodhen në kodër dhe jo pranë tokës së ndotur.

“Shitet ose jepet me qira”, është mbishkrimi në murin e ndërmarrjes së vjetër, që pas’ 90-ës u privatizua. Nuk mungojnë as “grafitet”, mbi një biznes që ka “ricikluar” një pjesë të ish-ndërmarrjes, për të hapur aktivitetin e riciklimit të letrës. Letra e magazinuar, bashkëjeton me disa makineri të ndryshkura, e që vizitohen vazhdimisht nga kanali  i ujërave të zeza, pak metra më poshtë.

Me afrimin e perëndimit të diellit, ngrehinat e ndërtesave ku kryheshin procese të ndryshme kimike, bëhen edhe më të zymta. Po ashtu shikimi që nuk na ndahet nga kati i tretë i një prej tyre. Është roja i objektit privat, që duket kureshtar nga vizita jonë, ose ndoshta nga përhumbja në këtë labirint, që përshkohet nga ndërtesa të vjetra, mbetje kimike, banesa, mbeturina, ujëra të zeza dhe kushedi se çfarë lloj ndotësish. Por shikimi ynë nuk mund të depërtojë nën tabelën ku shkruhet, “Kujdes zonë me mbetje të rrezikshme”, mbi vendin ku ngrihej dikur “zemra” e kombinatit kimik.

Deri në momentin që ndërmarrja u mbyll, në vitin 1990, prodhoi lëndë të ndryshme kimike, si Bikromat Natriumi për përpunimin e lëkurës, si edhe pesticide, si Lindan dhe Tiram.

Po me kaq vrull sa banorët e rinj të një toke që dikur ishte kënetë, erdhën edhe hetuesit e Programit Mjedisor të OKB-së (UNEP), në vitin 2002. Analizat e kryera në gjakun e banorëve, fotografitë e nënave me fëmijë, sillnin panoramën e një vendi të botës së tretë. Qeveria shqiptare vëzhgonte me duar në xhepa, duke bërë apel që të investonin ndërkombëtarët sepse ajo i kishte xhepat bosh. Problemi u pasqyrua edhe në një shkrim të gazetës “The New York Times” dhe nga një shkrim i “Independent”.

Sipas studimit të vitit 2002, lëndët kimike gjendeshin të pranishme me përqindje shumë të larta në tokë, në ujërat sipërfaqësore, në ujin e pijshëm (ujë pusi), në qumështin e lopëve, në gjakun e banorëve etj., të gjitha këto mbeturina të veprimtarisë së dikurshme të ish-uzinës së lindanit, si dhe të mbeturinave të lëndëve kimike që për shumë vitesh u lanë pa u siguruar në ish-magazinat e saj.

Një monstër ujë nëntokësor, përmbante 4,4 miligram për litër klorbenzen, që ishte 4 mijë herë më tepër se niveli i pranueshëm për ujin e pijshëm në disa vende të Bashkimit Europian. Ekspozimi i vazhdueshëm ndaj sasive të mëdha të klorobenzenit mund të shkaktojë pasoja negative në sistemin nervor, palcën e kockave, mëlçi, veshka, gjak dhe në organet riprodhuese. Analizat u shtrinë edhe mbi kafshët shtëpiake. Sipas raportit, një monstër qumështi e marrë nga një lopë shtëpiake ka rezultuar me përqëndrim të izomerit beta HCH, 100 herë më të lartë se në disa vende të Bashkimit Europian.

Sot në këtë zonë jetojnë rreth 15.000 mijë banorë, e në qytete të tjera shumë më shumë. Në “vatra helmuese”, si vendi ku ka qenë më parë një kompleks prodhimi kimik në Vlorë, Uzina e Plehrave Azotike në Fier, Uzina e Superfosfatit në Laç dhe qytete të tjera.

Ishte Banka Botërore dhe qeveria Holandeze, që me investimin ndër vite të rreth 10 milion eurove, bënë që në vitin 2011 të niste projekti reahabilitimin e zonës së ndotur nga mbetjet kimike në Porto-Romano. Projekti do të mundësonte ndërtimin e një kapsule nëntokësore për izolimin e afro 50 mijë metër kub mbetje lëndësh helmuese të bikromatit, lindanit dhe squfurit.

Sot perimetri i kësaj zonë gjendet  i rrethuar dhe mbjellë me pemë. Nën të gjendet kapsula që përmban lendët kimike, që pritet të dekompozohen pas disa dekadash. Nuk mungojnë edhe lojërat e fëmijëve mbi sipërfaqe, por që siç tregojnë banorët, përveçse ndonjë aktiviteti të shkollës “Met Hasa”, që ngrihet pak metra larg saj, asnjë fëmijë nuk e shfrytëzon parkun.

Banorët duket se hallin më të madh kanë legalizimin e banesave, ndërsa pushtetarët lënien në harresë të zonës, për të cilën nuk ka asnjë studim pas atij ndërkombëtar, mbi një dekadë më parë.

Pyetjes, "A është e pastër kjo zonë?", nuk i përgjigjet asnjë studim apo raport shtetëror, përveç tabelës së ndryshkur, “Kujdes zonë me mbetje të rrezikshme”.

E teksa hëna është ngatërruar midis kabujve, që nuk janë shqtësimi më i madh në këtë trekëndësh, jetesë-biznes-ndotje, largohemi duke lënë pas ngrehinat e errëta.

SHËNIM:

*Për t’u informuar më shumë rreth NISH-Kimikes Durrës, klikoni këtu.

*Mund të bëni një “shëtitje virtuale” në rrugët e kësaj zone, duke klikuar këtu.