DSC_0023

“Veliera”, dheu dhe inertet hidhen në det

VËZHGIM/

Ditën e sotme, firma që po kryen zbatimin e projektit “Veliera”, në qytetin e Durrësit, ka hedhur sasi të mëdha dheu dhe inertesh në bregdetin e Vollgës.

Në muajin dhjetor të vitit që lamë pas, pas shpimit me sondë, dheun e përzier me ujëra nëntokësor, si dhe inertet nga prishja e objekteve, u hodhën në këtë hapësirë.

“Raporto ndotjen mjedisore” vuri në dijeni Inspektoriatin Shtetëror të Ujërave, të cilët njoftuan se pas denoncimit të rastit kishin marrë masë administrative me gjobë.

Por kjo nuk e ka ndaluar hedhjen e dherave dhe inerteve për të dytën herë, në sasi më të mëdha, ç’ka vijnë nga gërmimi për hapjen e tunelit nëntokësor të projektit “Veliera”.

Kjo nuk është shkelja e vetme, pas rrethimit të zonës me sherita nga prokuroria e Durrësit dhe përmbarimi, punimet në perimetrin e zbulimeve arkeologjike nuk kanë ndaluar, duke betonizuar hapësirën përreth tyre.

Ka mbi dy muaj që qytetarët i kundërshtojnë punimet pranë gjetjeve arkeologjike dhe dëmtimin e mjedisit, me hedhjen e dherave në det.

Ishull.com në vijim do të vendos në dijeni mbi rastin të gjitha institucionet përgjegjëse dhe në ditët në vazhdim do të ketë një raportim më të detajuar të kësaj ndotjeje mjedisore.

 

Leave a reply